Site icon Telegrafi

Një akt i ri në dramën Assange: A do të falet nga Trumpi?

Në zgjedhjen e Donald Trumpit si president luajti rol edhe një godinë gjashtë-katëshe në një lagje luksoze të Londrës, Knightsbridge. Përballë qendrës tregtare Harrods ndodhet në katet e fundit Ambasada e Ekuadorit. Këtu ndodhet në emigracion, themeluesi i Wikileaks, Julian Assange.

Publikimet e Wikileaks për kandidaten demokrate Hillary Clinton ushtruan presion të vazhdueshëm mbi të. Ndoshta vetëm me presionin amerikan, ambasada ekuadoriane i bllokoi lidhjen e internetit të ftuarit të saj, Assange, në mes të tetorit. Por Wikileaks nuk është vetëm Julian Assange. Publikimet vazhduan. Vetë Julian Assange në një deklaratë sqaron se as ai, dhe as Wikileaks nuk kanë ndonjë interes për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Pasi që të dy kandidatët janë shprehur negativisht kundrejt zbuluesve të informacioneve të tilla. Me shumë dëshirë ne do të kishim publikuar edhe dokumente për Trump dhe ekipin e tij po të kishim, ka thënë Assange.

Pas zgjedhjeve në SHBA, tanimë në frontin juridik ka lëvizje: Të hënën (14.11) kryegjykatësja në Stokholm, Ingrid Isgren e shoqëruar nga një polic suedez do të qëndrojë në ambasadën e Ekuadorit. Qëllimi: marrja në pyetje e Assange lidhur me akuzën e përdhunimit, që vazhdon prej gjashtë vjetësh, por që nuk është ngritur ende në aktakuzë. Marrja në pyetje është pjesë e hetimeve të filluara në vitin 2010. Një prokurore e mbylli njëherë çështjen, por prokurorja tjetër, Marianny Ny nga Göteborgu e rihapi atë. Duhet thënë se kodi penal suedez për veprën penale me sfond seksual është me një diapazon të gjerë interpretemi. Gruaja, mbi të cilën bazohen edhe parahetimet nuk është ndjerë asnjëherë e kërcënuar nga Assange, për dhunë po ashtu nuk është folur. Mjaftonte vetëm thënia e saj, se gjatë natës së dashurisë, në një gjendje gjysmë gjumi është zhvilluar edhe njëherë marrëdhënie seksuale pa kondom. Kur kjo grua shkoi në polici në gusht 2010 kërkonte vetëm të këshillohej, se si Assange të bënte një test HIV.

Urdhërarresti evropian, për shkak të të cilit Assange u detyrua të ngujohej në Londër prej 2160 ditësh, i shërben vetëm marrjes në pyetje të Assange. Me këtë proces do të shfuqizohej edhe urdhërarresti, por Assange nuk mund të ndjehet i sigurtë edhe pas kësaj. Avokatja e tij, Melinda Taylor theksoi për Deutsche Wellen se arsyeja për kërkimin e azilit në Ambasadën e Ekuadorti nuk është procesi në Suedi. “Ai është në këtë ambasadë, sepse as Suedia e as Britania e Madhe nuk donin të garantonin, që nuk ka për t’u ekstraduar në SHBA. Ky rrezik mbetet, pavarësisht marrjes në pyetje apo urdhërarrestit europian.” Ajo mendon se administrata në Uashington në javët që i kanë mbetur do të investojë më shumë energji në arrestimin e Assange.

Edhe pse në SHBA ende nuk ka zyrtarisht një aktakuzë, dokumente të shumta vërtetojnë se Ministria e Drejtësisë në SHBA heton kundrejt Assange dhe Wikileaks. Informanti i Wikileaks, Chelsea Manning u dënua me 35 vite burg për dorëzimin e informacionit. Shqetësimi i avokates Taylor më sa duket nuk është pa bazë. Nikolaos Gazeas, ekspert për të drejtën ndërkombëtare i thotë Deutsche Welles, se ndryshe nga kërkesat për esktradim, një e ashtuquajtur kërkesë për arrestim funksionon shpejt dhe pa pengesa burokratike. Gazeas nuk i duket e pamundur që “amerikanët një lloj kërkese të tillë ta kenë gati në sirtar për ta vënë në faks kur të duan.”

Mediat sociale janë të mbushura me thirrje ndaj presidentit të ri për faljen e Assange. Melinda Taylor thotë se do të ndihmonte edhe thjesht ndryshimi i politikës amerikane kundrejt Whistleblower. Jo vetëm Assange, por edhe Snowden e Manning kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e informacioneve të rëndësishme në interes të publikut. “Whistleblower duhet të mbrohen”, kërkon avokatja Taylor. /DW/

Exit mobile version