Site icon Telegrafi

Një agjente ruse arriti që të hynte në rrethin e NATO-s dhe marinës amerikane në Itali – si ia doli?

Një hulumtim i kryer prej 10 muajsh nga Repubblica së bashku me faqen investigative Bellingcat, të përjavshmen gjermane Der Spiegel dhe The Insider ka zbuluar një spiune ruse të GRU-s, e cila kishte jetuar prej vitesh në qytetin e Napolit në Itali, dhe kishte arritur të miqësohej me anëtarë të NATO-s.

Ndonëse ende nuk dihet identiteti i saj, spiunia u paraqit para rrethit shoqëror si “Maria Adela Kuhfeldt Rivera”.

“Maria Adela” mori pasaportën e saj të parë ruse në 2006, raportojnë mediet e huaja, përcjell Telegrafi.

Bazuar në hulumtimin “Maria Adela” iu kishte thënë njerëzve me të cilën është miqësuar se ajo kishte një baba gjerman dhe një nënë peruane dhe ishte lindur në Callao, Peru. Nëna e saj beqare kishte udhëtuar me të në Bashkimin Sovjetik në vitin 1980, për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike në Moskë. Megjithatë, nëna e saj kishte marrë një mesazh urgjent nga Peruja që kërkonte që ajo të kthehej urgjentisht në shtëpi, dhe kinse e la “Maria Adelan” në kujdesin e një familjeje sovjetike me të cilën ajo me sa duket ishte miqësuar.

Nëna e saj nuk u kthye më dhe “Maria Adela” u rrit në Rusi, duke pasur një marrëdhënie të vështirë si me nënën e saj adoptuese, ashtu edhe me babanë e saj, për të cilët – iu tha ajo njerëzve – që abuzuan me të në vitet e saj të fëmijërisë.

Në vitin 2011 ajo u shpërngul në Paris, pak pasi u transferua në Paris, ajo regjistroi markën e saj tregtare të bizhuterive në Francë nën markën Serein.

Kjo ka gjasa të ishte faza fillestare e një plani afatgjatë nga GRU për të vendosur spiunen e tyre të paligjshëme si një biznesmene. Në vitet që pasuan, ajo siguroi mbulim ndërsa ajo kërkonte të hynte në nivelet më të larta të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Itali.

Në korrik 2012, “Maria Adela” u martua me një burrë për të cilin u tha miqve se ishte italian. Në realitet, përveç pasaportës italiane, burri i saj kishte nënshtetësi ekuadoriane dhe ruse dhe lindi në Moskë nga një nënë ruse dhe një baba nga Ekuadori.

Ai vdiq në Moskë më 13 korrik 2013 në moshën 30 vjeçe, shkaku i vdekjes i regjistruar në certifikatën e vdekjes ishte “pneumonia e dyfishtë dhe lupusi sistemik”.

Pas martesës së saj, në fillim të vitit 2013 “Maria Adela” regjistroi kompaninë e saj në Itali – Serein SRL, qëllimi i saj korporativ i renditur si prodhimi dhe tregtia e bizhuterive dhe artikujve luksoz. Siç shihet nga një leje qëndrimi e lëshuar nga policia e Napolit dhe e marrë nga La Repubblica, jo më vonë se tetori 2015 ajo ishte zhvendosur në lagjen elegante Posillipo të qytetit bregdetar me pamje nga Gjiri i Napolit.

Ishte në Napoli, ku karriera e “Maria Adelas” arriti kulmin si spiune ruse. Gjatë tre viteve të ardhshme, ajo u bë një palë në skenën sociale lokale. Ajo hapi një butik bizhuterish dhe sendesh luksoze, duke e kthyer më vonë në një klub të frekuentuar nga njerëzit e famshëm vendas dhe përfundimisht duke u bërë sekretare e një organizate bamirësie ku morën pjesë edhe anëtarë të qendrës së komandës së NATO-s në Napoli.

Në një moment në vitin 2015, “Maria Adela” u bë sekretare – dhe një nga anëtarët më aktivë – të një organizate bamirëse lokale – “Lions Club Napoli Monte Nuovo”. Kjo nuk ishte thjesht një degë e rregullt e Lions Club, një organizatë që shtrihet në të gjithë globin dhe që synon të përmirësojë komunitetet në të cilat vepron dhe të avancojë shoqërinë qytetare. Fillimisht ishte krijuar nga një oficer i NATO-s me bazë në Napoli.

Sipas grupit hetimor, thuhej se “Maria Adela” u miqësua me një numër oficerësh të NATO-s në Lions Club, dhe kishte ndërveprime të shpeshta sociale me ta.

“Maria Adela” thuhej se kishte takuar një punëtor të Marinës Amerikane të cilin e kishte takuar në Napoli, dhe se i njëjti e kishte fiksim atë.

Ndonëse “Maria Adela” sigurisht kishte qasje të drejtpërdrejtë me shumë oficerë të NATO-s dhe marinës amerikane – dhe shkëmbeu vizita në shtëpi me disa prej tyre – nuk dihet nëse ka pasur akses fizik në bazën e NATO-s.

Megjithatë ajo mori pjesë në shumë ngjarje të organizuara nga NATO ose ushtria amerikane.

“Maria Adela” udhëtoi në Rusi më 15 shtator të vitit 2018, dhe nuk u kthye më. Sipas grupit hulumtues, “Maria Adela” mund të jetë në të vërtet Olga Kolobova e lindur në vitin 1982. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati: Arigona Bytyçi 

Exit mobile version