Telegrafi

Një aeroplan i vogël komercial rrëzohet në autostradë në Floridë, përplaset me dy vetura – humbin jetën dy persona

Një aeroplan i vogël komercial me pesë persona është rrëzuar dje në një autostradë në Florida, duke u përplasur me dy vetura, ku si pasojë humbën jetën dy persona.

Aeroplani Bombardier Challenger 600, i cili ishte nisur nga Ohio, po i afrohej aeroportit të Naples kur piloti njoftoi përmes radiolidhjes së dy motorët i janë fikur, kanë njoftuar nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit, transmeton Telegrafi.

Videot dhe fotot nga vendi i ngjarjes treguan aeroplanin në flakë dhe tym pasi u rrëzua në Interstate 75 pranë Naples.

Aeroplani u përplas me një veturë dhe një kamionçinë në autostradë. Në bordin e aeroplanit ishin pesë persona, sipas NTSB dhe Administratës Federale të Aviacionit. Zëdhënësja e policisë Molly Best tha se tre persona nga aeroplani mbijetuan dhe dy persona vdiqën.

Por ajo nuk tha nëse dy personat e vdekur ishin nga aeroplani apo automjeti. Numri i personave që udhëtonin në veturën dhe kamionçinën e goditur nuk është specifikuar. /Telegrafi/