Një 30-vjeçar ka humbur jetën në një aksident komunikacioni që ka ndodhur sonte në rrugën magjistrale Podujevë – Merdare.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka theksuar se dy vetura dhe një biçiklist janë përfshirë në aksident.
“Rreth orës 21:45, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Podujevë – Merdare. Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura dhe një biçiklist janë përfshirë në aksident. Si pasojë e aksidentit biçiklisti, mashkull rreth 30 vjeç, ka humbur jetën”, tha Borovci.
Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.
Ndryshe, brenda 48 orëve të fundit, nga aksidentet në komunikacion, kanë humbur jetën pesë persona.
Sipas statistikave zyrtare, në dy vitet e fundit në Kosovë 168 qytetarë humbën jetën në aksidente të trafikut. 90 prej tyre vetëm në vitin 2021./Telegrafi/