Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Vlorë.
Policia njofton se një 29-vjeçare është rrahur nga babai, vëllai dhe i fejuari i saj, transmeton Telegrafi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se një 29-vjeçare ishte dhunuar nga familjarët e saj, për motive të dobëta, në banesë, kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës. Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar shtetasit: A. B., 60 vjeç (babai), E. B., 26 vjeç (vëllai) dhe A. J., 34 vjeç (i fejuari). Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta, këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 29-vjeçares, e cila është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, bëhet e ditur në njoftim.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./Telegrafi/