Telegrafi

Një 27-vjeçar nga Kosova arratiset nga spitali psikiatrik i burgut në Gjermani

Katër të dënuar janë arratisur nga një spital në Bavari, Gjermani, ku trajtohen të burgosurit me probleme psikologjike ose varësi.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 21:00.

Sipas raportimeve të RTL, të arratisurit janë pacientë të spitalit psikiatrik të qarkut Lerchenhaid. Dyshohet se ata kanë kërcënuar fillimisht një punonjës të spitalit, duke u larguar më pas drejt Alburgut.

Policia ka lëshuar një deklaratë me përshkrime të hollësishme për secilin prej të arratisurve, përfshirë fotografitë dhe informacionet për veshjet e tyre të fundit.

Njëri prej të arratisurve është Zeqir Beqiri, 27 vjeç, nga Kosova.

Zeqir Beqiri

Policia gjermane e përshkruan atë si vijon: “27 vjeç, përafërsisht 70 kg, përafërsisht 185 cm, shtat normal, flokë të gjatë bionde/kafe të lidhura bisht, mjekër të plotë”.

Sipas informacioneve të deritanishme, ai kishte veshur një bluzë të zezë dhe pantallona të zeza gjatë momentit të arratisjes.

Mediat gjermane raportojnë për një shqetësim në rritje në qytetin e Straubing, që ka një popullsi prej 50,000 banorësh, pas arratisjes së të burgosurve.

Sipas një zëdhënësi të policisë, dy nga të arratisurit ishin në klinikën psikiatrike për shkak të varësisë nga droga, ndërsa dy të tjerë për vjedhje. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët për rrezikun e mundshëm.

Përveç kosovarit, janë arratisur edhe një 31-vjeçar boshnjak dhe dy 28-vjeçarë gjermanë.

Policia është në kërkim të tyre dhe ka intensifikuar operacionet për kapjen e tyre sa më shpejt./Telegrafi/