Site icon Telegrafi

Një 15 vjeçar nga Mongolia raportohet të ketë vdekur nga murtaja bubonike

Një i ri në Mongoli raportohet të ketë ndërruar jetë nga murtaja bubonike, ndërsa dhjetëra njerëz iu nënshtruan izolimit pas kontaktit me 15 vjeçarin.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vetëm ditë më parë u raportua rasti i parë i murtajës bubonike në Mongolinë e Brendshme të Kinës.

Raportohet se i riu kishte temperaturë të lartë pasi hëngri mish kastori, ndërsa vdiq tre ditë pasi hëngri mishin e brejtësit.

Lidhur me këtë rast, personat që kishin kontakte me viktimën iu nënshtruan izolimit në mënyrë që të ndalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes.

Murtaja bubonike është një sëmundje e shkaktuar nga bakteri i quajtur Yersinia pestis që jeton kryesisht në brejtës dhe pleshta.

Njerëzit mund ta kapin atë duke prekur kafshët e infektuara (zakonisht minjtë), duke u kafshuar nga pleshtat e infektuar ose duke thithur pikat e frymëmarrjes nga një kafshë e infektuar.

Në shekullin XIV murtaja bubonike – e njohur atëherë si “Vdekja e Zezë” – u përhap nëpër Evropë dhe vrau 50 milionë njerëz dhe ishte pandemia më fatale e regjistruar në historinë njerëzore.

Exit mobile version