Telegrafi

Niveli i ajrit të ndotur po vazhdon të jetë në përmasa shqetësuese në Prishtinë

Ndotja e ajrit në Prishtinë, sot ka arritur përsëri në shifra alarmante.

Sipas matjeve të fundit të cilësisë së ajrit nga matësit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, në ora 20:00, cilësia e ajrit del të jetë në shkallën 322, që është e rrezikshme.

Thëngjilli si lëndë djegëse, termo-elektranat, komplekset industriale dhe veturat e vjetra janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit, sidomos në Prishtinë ku ka frekuentim më të madh.

Shkalla më e larët e ndotjes që Prishtina ka pas këtë vit, ishte më 3 dhjetor, që kishte arritur shifrën rekorde, 493.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar se ndotja e ajrit është një prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin global.

Sipas agjencisë së OKB-së për Shëndetësi, ndotja e ajrit vret 7 milionë njerëz në botë çdo vit, përfshirë 600 mijë fëmijë.

Po ashtu, ajri i ndotur ndikon që shumë fëmijë të lindin me probleme mendore e fizike./Telegrafi