Site icon Telegrafi

Nitaj: Ymeri e Mustafa, ftesën e Haradinajt e shndërruan në luftë propagandistike

Dje kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj i kishte ftuar në takim kreun e LDK-së, Isa Mustafën dhe Visar Ymerin e Lëvizjes Vetëvendosje, por të dy e kishin refuzuar një takim me të.

Lidhur me këtë, anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për Telegrafin se ftesa ka qenë krejt normale.

“Është për keqardhje se si një ftesë krejt normale e Ramush Haradinajt, për t’i takuar Mustafën e Ymerin, është shndërruar në një “casus belli” për një luftë propagandistike të këtyre të fundit.

As Mustafa, as Ymeri e as Albini, ende nuk e kanë kuptuar se Ramush Haradinaj, është po a i njëjti që ata e kanë njohur gjithmonë dhe shpesh edhe e kanë admiruar”, ka thënë Nitaj.

Ai ka shtuar e Haradinaj është “po i njëjti, i sinqertë deri në dhimbje, që saherë është nevoja i thërret në takim, i thërret për të parë nëse ka çfarë bisedohet për ‘këtë vend të mjerë’, pikërisht siç kishte bërë njëherë në mesnatë e midis tymnaje, për ta nxjerrë Albin Kurtin që mbahej “jesir” nga policia, apo pikërisht si në kohën e VLAN-it, që pagoi çmim të lartë, për të mos e lënë Isa Mustafën “në lloq”!”.

Nitaj shtoi se ftesa ishte normale e një politikani normal, për një takim formal.

“Hajde këta që e kanë marrë ftesën, por tash edhe të tjerët pa ftesë hiq, kanë nisë t’i ngjiten valles së refuzimit!”, tha ai.

Kujtojmë se sot Ramush Haradinaj ka zhvilluar takim në ambientet e Kuvendit me përfaqësuesit e minoriteteve jo serbe./Telegrafi/

Exit mobile version