Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se më së miri do të ishte sikur marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi mos të nënshkruhej në vitin 2015.
Nitaj në një postim në Facebook ka shkruar se nesër nuk do të jetë një betejë e lehtë në Kuvend, por e realizueshme.
“E mira e së mirës do të ishte që Kosova të mos e kishte nënshkruar asnjëherë marrëveshjen e demarkacionit te vitit 2015, por ja qe e ka nënshkruar. E mira e së mirës do te ishte qe demarkacioni e liberalizimi te mos kushtëzoheshin njëra nga tjetra, por ja që janë lidhur”, ka shkruar Nitaj.
Nitaj tha se ai do të votojë ligjin, pasi sipas tij është më e mira e vetme, e mbetur.
Nga projektligji që do të nxirret nesër në Kuvend, pashë që një Qeveri e përgjegjshme ka bazë të mjaftueshme ligjore që ta korrektojë kufirin. Sigurisht se kjo nuk do të jetë aspak e lehtë, por është krejtësisht e realizueshme. Prandaj unë do ta votoj këtë ligj, sepse besoj se kjo është “e mira” e vetme e mbetur! /Telegrafi/