Deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, duke i quajtur pinjollë opozitarë deputetët e opozitës, i ka pyetur nëse kanë dëgjuar diku se me dorëheqjen ose me shkarkimin e qeverisë një shtet mbetet pa qeveri.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se nuk do të çuditej nëse ndonjëri prej tyre bëhet pjesë e skenarit të krijimit të një qeverie siç e ka quajtur ai “Qeveri Kukullë”.
“Këta pinjollët opozitarë dështuan ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj dhe për gati dy vjet, rrahen ujë në havan kot! Tash të gjendur përballë një dështimi të tillë, kanë filluar të shesin mend se si vendi nuk po u dashka me pasë qeveri as në dorëheqje!!! Po ku e keni dëgjuar ju se me dorëheqjen ose me shkarkimin e qeverisë, një shtet po mbetka pa qeveri!? Disa prej jush, që e paskëshit krejt këtë ekspertizë e kulturë juridike, pse nuk po na jepni mend si të shkohet në zgjedhje menjëherë, por po merreni nese Ramush Haradinaj duhet me ndejt në zyre apo jo!!! Apo i keni ra pishman e po ju dhimbsen mandatet dhe në vend që të flisni për zgjedhje prap po merreni me Ramushin! Hiç nuk do të çuditesha që ndonjëri prej jush, të filloi të “reflektojë” e të bëhet pjesë e skenarit të krijimit të një Qeverie Kukullë, natyrisht kjo me arsyen e njohur tashmë, “ na u dasht ta bëjmë për interesa vendit”! Se mos është hera e parë!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe sot kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thirrur mbledhjen e rregullt të qeverisë për ditën e premte. Kështu ka thënë në një prononcim për Telegrafin, Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, kjo është një mbledhje e rregullt e qeverisë në detyrë nga kryeministri Haradianaj.
Lidhur me këtë, përmes një postimi në Facebook ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo ka shkruar se kjo mbledhje e thirrur nga Haradinaj, është skandaloze.
Sipas saj, secili vendim që mendohet të merret ka pasoja edhe penale./Telegrafi/