Site icon Telegrafi

Nitaj: Jo të gjithë deputetët e LDK-së janë për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se nuk e di nëse Qeveria do të rrëzohet ose jo.

Nitaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe Qeveria e Isa Mustafës kishte 80 vota por ajo një ditë u rrëzua.

Ai ka thënë se megjithatë është i bindur se nisma e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë nuk është serioze.

“Qeveria nuk rrëzohet nga opozita sot as nesër. Qeveria mund ta rrëzojë vetën për shkak të përplasjes eventuale të partnerëve qeverisës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Deputeti i AAK-së thotë se hipotetikisht përveç AKR-së, secili subjekt qeverisës mund ta rrëzojë qeverinë.

“Nëse partnerët për arsye të ndryshme eventuale mund të përplasen atëherë mund të bjer qeverie…Nëse PDK mund të futet në një proces për rrëzimin e Qeverisë i bie që ajo ta rrëzojë vetën pasi ajo udhëheq me pjesën më të madhe të qeverisë përjashtuar kryeministrin që është hise e AAK-së”.

Nitaj ka thënë se dyshon se jo të gjithë deputetët e LDK-së mund t’i binden Kryetarit të partisë për të rrëzuar Qeverinë pasi mund të lidhen edhe interesat individuale për humbjen e mandatit të deputetit.

“Sabri Hamiti si njeri i respektuar në LDK, apo Hajredin Kuçi nga PDK nuk kanë arritur të fitojnë mandatin ën këto zgjedhje. Asnjë nga deputetët që janë sot në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë të sigurt mandatin e deputetit nëse bëhen zgjedhjet. Ata kalkulojnë edhe në interesa personale”.

Deputeti i koalicionit qeverisës ka thënë se PSD nuk qëndron mirë në sondazhe dhe sipas tij nuk beson se ata janë të interesuar të shkojnë në zgjedhje të reja e të rrezikojnë mandatet.

“Vetëm AAK në bazë të disa të dhënave mund të dalë më mirë se përbërja aktuale e Kuvendit. Të gjitha tjerat janë më keq”, tha ndër të tjera Muharrem Nitaj./Telegrafi/

Exit mobile version