Telegrafi

Nitaj: Hegjemonia e Brukselit ndaj Kosovës

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, e ka cilësuar të paimagjinueshme kërkesën e Komisionit Evropian, që Kosova të ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, para se rekomandimi për vizat të shndërrohet në vendim të Parlamentit Evropian.

Nitaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “insistimi që Kosova të sfidohet kaq rëndë në shkëmbim të një të drejte krejt humane, që është lëvizja e lirë, është kërkesë e pandershme e hegjemoni e Brukselit ndaj një vendi të vogël, të cilin ka vite që është duke e trajtuar padrejtësisht, sa s’ka më!”, transmeton Telegrafi

Lexojeni të plotë postimin e Nitajt:

“Hegjemonia në shkëmbim të lirisë së lëvizjes!

Është e paimagjinueshme që Komisioni Evropian të kërkojë nga Kosova, që ta ratifikojë Demarkacionin me Malin e zi, përpara se rekomandimi për vizat të shndërrohet në vendim të Parlamentit Evropian.

Sikur kjo duket që më tepër të këtë qenë insistim i Isa Mustafës e i Hashim Thacit, se sa i vet Komisionit.

Ndryshe si shpjegohet që një kusht i tillë nuk u është vënë asnjërit prej vendeve që tashmë e kanë marrë Liberalizimin. Ky nuk ka qenë kusht as për vet Malin e zi, as për Serbinë, as për shtetet tjera, sic është Sllovenia dhe Kroacia, të cilat edhe pse anëtare të BE-së, akoma kanë probleme të hapura me kufijtë.

Insistimi që Kosova të sfidohet kaq rëndë në shkëmbim të një të drejte krejt humane, që është lëvizja e lirë, është kërkesë e pandershme e hegjemoni e Brukselit ndaj një vendi të vogël, të cilin ka vite që është duke e trajtuar padrejtësisht, sa s’ka më!” (sic), ka shkruar Nitaj. /Telegrafi/