Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, përmes një postimi në Facebook, shkruan se ndoshta nuk ka nevojë të shkarkohen personat që urdhëruan operacionin për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, pasi ata mund të dorëhiqen vetë.
Sot përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj më herët kishte deklaruar se ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri tek urgjenca e deportimit.
“Si kryeministër i Kosovës, duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, ka thënë ai.
Në orët e mbrëmjes është zhvilluar një takim i Qeverisë së Kosovës ku është diskutuar lidhur me arrestimin e gjashtë shtetasve turq. /Telegrafi/