Site icon Telegrafi

Nissan me logo te re, duket më moderne

Prodhuesi japonez përdori premierën e fundit të makinës elektrike Ariya për të paraqitur logon e re të kompanisë. 

Nissan Ariya është një model shumë i rëndësishëm për të ardhmen e kompanisë japoneze, siç dëshmohet edhe nga fakti se ky automjet elektrik u zgjodh si “modeli” për të prezantuar edhe logon e re, transmeton Telegrafi.

Kjo është hera e parë në 20 vitet e fundit që Nissan ka vendosur të ridizajnojë logon që zbukuron modelet e saj.

Të gjitha zyrat përfaqësuese dhe sallat ekspozuese të prodhuesit japonez do të mbajnë gjithashtu simbolin e ridizajnuar të kompanisë.

Ashtu si në rastin e Opel, e cila gjithashtu ndryshoi së fundmi logon e saj, Nissan ka prezantuar një emblemë të re në vetëm një model elektrik, i cili duhet të tregojë në mënyrë simbolike se në cilin drejtim do të lëvizë industria e automobilave në të ardhmen.

Nga ana tjetër, elementët themelorë të emblemës kanë mbetur të pandryshuara, duke lejuar Nissan të ruajë vazhdimësinë me trashëgiminë e saj historike.

Emri i kompanisë mbeti në qendër të rrethit, por tani e tutje logoja do të ndizet në të gjitha makinat elektrike.

Siç thonë në Nissan, logoja e re shënon edhe kalimin nga modeli i theksuar industrial që zbukuroi emblemën e vjetër, në epokën digjitale të së tashmes dhe të ardhmes.

Stema e re do të fillojë të përdoret këtë muaj, si në formë digjitale ashtu edhe në formë fizike.

Të gjitha modelet e ardhshme elektrike, duke filluar me Nissan Ariya, do të kenë logon e lartpërmendur të ndriçuar të përbërë nga 20 llamba LED. /Telegrafi/

Exit mobile version