Site icon Telegrafi

Nissan dhe Renault planifikojnë rinisjen e prodhimit në Indi me 600 milionë dollarë investim në modele të reja

Nissan Motor Co dhe Renault SA do të investojnë 560.50 milionë euro (600 milionë dollarë) për të prodhuar gjashtë modele të reja në Indi, një nga tre tregjet në të cilat dy prodhuesit e automjeteve planifikojnë të koordinohen ngushtë në një aleancë të rinovuar të shpallur javën e kaluar.

Investimi, i planifikuar për një periudhë prej tre deri në pesë vjet, do të financojë zhvillimin e dy modeleve elektrike dhe katër automjeteve sportive (SUV) për shitje në Indi dhe jashtë saj, u tha gazetarëve në Nju Delhi shefi operativ i Nissan, Ashwani Gupta.

Nissan dhe Renault po bëjnë një shtytje të rinovuar në Indi, e cila ka kaluar Japoninë për t’u bërë tregu i tretë më i madh i makinave në botë, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

“Ky investim është shumë i rëndësishëm jo vetëm në produkte, por në teknologji si veturat elektrike për të kapur me të vërtetë tregun indian në rritje”, deklaroi Gupta.

Shitjet në mbarë industrinë në Indi u rritën me 23 për qind vitin e kaluar në 4.4 milionë automjete “të lehta”, rritja më e shpejtë e çdo tregu të madh të automjeteve, sipas S&P Global Mobility, me shitjet e veturave elektrike gjithashtu duke rritur vrullin.

Nissan dhe Renault thanë se secila nga 2 kompanitë do të prodhonte tre modele të reja në Indi, të ndërtuara në platforma të përbashkëta me komponentë dhe inxhinieri të përbashkëta midis modeleve. /Telegrafi/

Exit mobile version