Nissan dhe Renault të hënën zbuluan detajet e aleancës së tyre të riformuar, me prodhuesin japonez të veturave që është zotuar se do të blejë deri në 15 për qind të aksioneve në Ampere, njësinë e veturave elektrike të Renault.
Marrëveshja, e cila erdhi pas muajsh bisedimesh, përfshin reduktimin e njoftuar më parë të aksioneve të Renault në Nissan për t’i vënë të dy në një bazë më të barabartë, duke zgjatur për një periudhë fillestare prej 15 vjetësh një partneritet që ka qenë në fuqi që nga viti 1999 dhe gjithashtu përfshin Mitsubishi Motors.
“Më parë aleanca kishte të bënte më shumë me sinergjitë tona dhe vëllimet globale”, deklaroi për Reuters shefi operativ i Nissan, Ashwani Gupta, duke shtuar: “15 vitet e ardhshme kanë të bëjnë me mënyrën se si ne bëhemi krijuesi numër një i vlerave për njëri-tjetrin dhe aksionarët tanë të përbashkët”, transmeton Telegrafi.
Asnjë detaj financiar nuk u bë i ditur mbi “vlerën e sipërmarrjes së përbashkët” të hënën, që disa burime kanë treguar se mund të jetë deri në 10 miliardë euro.
“Ne e konsiderojmë Ampere si një mundësi që Nissan të marrë pjesë në mundësi të reja biznesi në Evropë”, u deklarua para gazetarëve dhe analistëve, shefi ekzekutiv i Nissan, Makoto Uchida.
Drejtori ekzekutiv i Mitsubishi, Takao Kato, deklaroi se Ampere do të jetë gjithashtu pjesë e strategjisë së saj evropiane për EV dhe kompania do të “studiojë më tej” pjesëmarrjen e saj të aksioneve në njësi. /Telegrafi/