Nisma për Kosovën ka reaguar ndaj ftesës për “Darkë me Presidentin” që u është bërë punëtorëve të arsimit në Drenas, duke e cilësuar si ndërhyrje e rëndë në procesin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Komunës së Drenasit.
Sipas Nismës, ftesa e Hashim Thaçit drejtuar punëtorëve të arsimit në Drenas përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 83 të saj në të cilin thuhet qartë se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës.
“Organizimi i një darke të tillë është ushtrim i drejtë për drejtë i presionit mbi punëtorët e arsimit për interesa partiake, përkatësisht për interesa të PDK-së, nga e cila shihet qartë se ai ende nuk është shkëputur. Me këto veprime, “Presidenti” i Kosovës përveç që vazhdon politikën e tij të manipulimit e të mashtrimit, ai po vazhdon funksionin e presidentit të vendit ta vë në shërbim të një partie politike pra të PDK-së”, thuhet në reagimin e Nismës.
Nisma i ka bërë thirrje Hashim Thaçit që menjëherë të heqë dorë nga këto ndërhyrje të drejtpërdrejta në procesin zgjedhor. /Telegrafi/