Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj mori pjesë sot në tubimin me struktura të kësaj partie në Prishtinë, ku u zyrtarizuan 880 aderime të reja.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj theksoi se NSD nuk do t’i zhgënjejë qytetarët e Prishtinës. “Bashkë me ju do t’i shtyjmë proceset përpara dhe nuk ka mundësi me u zgjedhë kryetar komune në Prishtinë dhe qeveri qendrore pa Nismën”, tha Limaj.
Limaj theksoi se ky takim i sotëm vjen nga shumë tubime në qytete të Kosovës dhe NSD është shtrirë anë e kënd Kosovës. “Kosova po jeton në një fazë të çuditshme. Është në një udhëkryq. Ne jemi në një moment para vendimeve të rëndësishme. Është koha e vendimeve transparente, është kohë që për këto vendime të bëhet debat, për t’i dhënë një drejtim këtij vendi. Unë nuk kam dilemë për zhvillimin ekonomik dhe të sistemit të drejtësisë”, tha Limaj, duke shtuar se Kosova ende vuan për vendime të rëndësishme, por që këto vendime kanë edhe rrisk. Limaj mori shembull edhe rastin e Pallatit të Rinisë në Prishtinës, i cili tha se ka mbetur në gjendje të rëndë.
Kryetari i degës së NSD në Prishtinë, Skënder Reçica theksoi se kjo parti dhe dega e saj në Prishtinë ka një ëndërr për arsim cilësor, për ndërmarrësi, zhvillim dhe punësim.
“Në qeverisjen tonë, vendimet që po merren janë në dobi të secilit qytetarë në Prishtinë dhe Kosovë”, tha Reçica, duke shtuar se NSD mbetet e përkushtuar edhe në proceset tjera me rëndësi për Kosovën./kp/Telegrafi/