Nisma Socialdemokrate ka propozuar që testi i maturës shtetërore të mbahet më 1 korrik 2020.
Anëtari i kryesisë së Nismës, Fehmi Hysenaj, ka thënë se nëse situata me COVID-19, nuk përkeqësohet atëherë testi duhet të mbahet më 1 korrik, dhe se qendrat duhet të kenë 80 deri në 100 nxënës,transmeton Telegrafi.
“Testi i maturës të mbahet me 1 korrik nëse situata nuk përkeqësohet dhe qendrat të kenë 80/100 nxënës dhe një klasë jo më shumë se 12 nxënës dhe të kenë masat mbrojtëse. 15 ditë para testit, maturantët për efekt psikologjik dhe social t’i vizitojnë shkollat dhe të obligohen mësimdhënësit që të ofrojnë programe mbështetëse mësimi enkas për maturën. Po ashtu në TV publik të transmetohen dhe vetëm lëndët obligative dhe testi të ketë 120 kërkesa”, tha ai para mediave.
Hysenaj po ashtu ka folur për mësimin që po zhvillohet në distancë.
“Ne kemi vërejtur disa parregullsi që vazhdojnë ta dëmtojnë mësimin. Mungesa e harmonizimit të materialeve ku janë lëshuar gabime të ndryshme, mungesa e një mekanizimi të mirëfilltë që të bëjë përcjelljen e nxënësve, ndër arsyet bazë që nuk ka shkuar si duhet është metoda e përdorur për të transmetuar këto programe”, tha ai./Telegrafi/