Nisma Socialdemokrate dega në Deçan, nëpërmjet një komunikate dërguar mediave ka shprehur shqetësim në lidhje me zhvillimet e fundit rreth çështjes kontestuese në mes të komunës së Deçanit, Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” në njërën anë dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër.
Siç thuhet në komunikatën e Nismës Socialdemokrate, ata janë kundër zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të datës 19 maj 2016, me të cilin i njihet pronësia ndaj pronave dhe ndërmarrjeve publike Manastirit të Deçanit, transmeton Telegrafi.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, është i bazuar në vendimet e kohës së masave të dhunshme në vitet 1990-1999, vendime këto që bota demokratike i ka shpallur null (shih vendimin e UNMIK-ut), dhe se
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka shkelur rendë aktin me të lartë juridik të vendit tonë, ngase ka legalizuar vendimet e kohës së Millisheviqit.
Nisma Socialdemokrate dega në Deçan, thekson se zgjidhja e vetme e kësaj çështje është kthimi në pronësi të Komunës së Deçanit, të pronave dhe Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”, të cilat duhet të i shpallë asete kombëtare Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga Nisma.
Sipas kësaj partie, çdo tentimi i faktorit politik ndërkombëtar në Kosovë, për të interferuar në zbatimin e një vendimi anti-kushtetuese dhe diskriminues për qytetarët e Komunës së Deçanit, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për interesin e përgjithshëm të qytetarëve./Telegrafi/