Site icon Telegrafi

Nisma i reagon Qeverisë: Amandementimi i Ligjit për Zgjedhje pa konsensus, tendencë për të kapur shtetin

Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për amandementimin e Ligjit për Zgjedhje, duke e quajtur si një tendencë për të kapur në tërësi shtetin.

Përmes një komunikate për media Nisma Socialdemokrate vlerëson se amandementimi i Ligjit për Zgjedhje pa konsesus mes të gjitha partive politike pozitë dhe opozitë dëshmon që Vetëvendosje nuk e ka prioritet as pandeminë, as demokracinë dhe as zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky veprim përbën një presedan të rrezikshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional në Republikën e Kosovës! Përmes këtij veprimi Vetëvendosje shpërfaqë̈ hapur tendencën për të kapur në tërësi shtetin! Përmes këtyre ndryshimeve Vetëvendosje për të fituar pak më shumë vota nga mërgata jonë, do të hapë rrugën që Lista Serbe të merr më shumë se 10 mandate të rezervuara. Sepse, përmes këtyre ndryshimeve do të hapet rruga që Lista Serbe me ndihmën e Vuçiqit të mobilizojë numër shumë më të madh të votuesve që jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë!”, thuhet në reagimin e Nismës Socialdemokrate.

Nisma Socialdemokrate shpreh mospajtimin e plotë me këtë veprim me pasoja të mëdha për demokracinë dhe stabilitetin institucional të vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version