Opozita ka paralajmëruar për 4 shtator mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Në këtë seancë synohet të nxirret edhe një rezolutë që ia ndalon presidentit të shtetit, Hashim Thaçi që të negociojë me Serbinë tërësinë territoriale të Kosovës.
Përveç opozitës, pra deputetëve të LDK-së, VV-së e PSD-së, pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe Nisma Socialdemokrate.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi.
“Nisma Socialdemokrate në parim merr pjesë në çdo seancë. Në këtë rast do të marrë pjesë edhe në seancën e ftuar nga opozita! Nisma si pjesë e qeverisë që është në seancë do të mbaj qëndrimin që ka qeveria.
Të njëjtin qëndrim ka edhe kryeministrin Haradinaj i cili ka thënë se presidenti dhe askush tjetër nuk ka mandat për të diskutuar për territore, po ashtu zëvendëskryeministri dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se presidenti dhe askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës”, ka thënë Sherifi.
Ai ka shtuar se Nisma do të përkrah çdo rezolutë që përfshinë edhe qëndrimin e saj si subjekt dhe që është kundër shkëmbimit apo korrigjimit të territoreve!
Ndryshe, dje kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij dhe të qeverisë, se ndarja e Kosovës dhe ndryshimi i kufijve është i pamundshëm dhe se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se opozita e ka votën e tij dhe të partisë së tij për miratimin e një rezolute në Kuvend, e cila specifikon qartë se në dialogun me Serbinë nuk guxon të diskutojë për territorin dhe kufijtë. /Telegrafi/