Telegrafi

Nisma nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve, thotë se KQZ prezantoi rezultat të fabrikuar

Nisma Socialdemokrate përmes një konference për media ka thënë se KQZ sot ka shpallur rezultat të fabrikuar.

Anëtari i kryesisë së Nismës, Endrit Shala ka akuzuar KQZ-në se ka fabrikuar rezultatin, duke kundërshtuar kështu rezultatin përfundimtar i cili e ka lënë jashtë koalicionin Nisma-AKR.

“Sot KQZ nuk shpalli rezultatin nga votat e rregullta dhe sipas ligjit për zgjedhje, në fakt KQZ shpalli rezultat të fabrikuar të prodhuar nga ajo vetë duke i numëruar si vota pakot me zarfa që janë grumbulluar në Serbi që nuk dihet ku e kanë origjine. Pakot me zarfa të grumbulluara dhe të mbledhura diku në Serbi në një vend privat nga persona të paidentifikuar në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi, të sjella në Kosovë po ashtu nga persona të paidentifikuara”, ka thënë Shala.

Ai shtoi se këto vota KQZ i kontabandojë në QNR duke i futur në mënyrë të paligjshme në rezultatin e zgjedhjeve.

Shala bëri të ditur se do të ankohen në të gjitha institucionet relevante.

“Rezultati përfundimtar është ai që ka dalë me vota të rregullta, dhe me këto vota të rregullta Nisma dhe koalicioni unë është mbi 5%. Ne kërkojmë ligjshmëri dhe do t’i shfrytëzojmë për ankesë të gjitha instancat bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Shala.

Shala shtoi se presin që institucionet që do të shqyrtojnë ankimimin tonë dhe do të vendosin duke zbatuar ligjin. /Telegrafi/