Partia që është pjesë e koalicionit në pushtet, Nisma Socialdemokrate është e gatshme për zgjedhjet e parkohshme, të cilat pritet të mbahen. Mirëpo, kjo parti preferon të shkojë në zgjedhje e vetme.
Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se vendimi i partisë është të shkohet vetëm në zgjedhje.
“Ne jemi gati për zgjedhje moti. Nisma në koalicion parazgjedhor nuk do të hyjë, sepse do të shkojmë si parti e vetme. Kështu deri më tani ka vendosur partia”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti.
“Ne vija të kuqe nuk kemi për asnjërën parti. Me të gjitha partitë i kemi raportet e njëjta, si me ato në pozitë dhe ato opozitare. Pra vija të kuqe qysh qesin disa parti, Nisma nuk ka”, është shprehur Shala për Telegrafin.
Ndryshe zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen pasi që kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje.
Haradinaj dorëheqjen e tij e ka apraqitur për arsyen se është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.
Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë./Telegrafi/