NISMA për Kosovën ka reaguar ndaj ndalimit të Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, duke u bazuar në urdhërarreste të Serbisë, duke thënë se kjo tregon më së miri se ata që kanë biseduar dhe po bisedojnë çdo ditë me Serbinë në Bruksel, se sa të pa interesuar janë për të mbrojtur çlirimtaret dhe qytetarët e vendit nga veprimet arbitrare e kriminale të qeverisë së Serbisë.
“Në vend që të kushtëzojnë Serbinë për t’i ndalur këto veprime dhe për të bërë tërheqjen e këtyre urdhërarresteve të Serbisë për ish-luftëtarët e UÇK-së, ata as që e kanë ngritur ndonjëherë këtë çështje në bisedime me palën serbe’, thuhet në reagimin e Nismës.
“Fatkeqësisht kjo është gjëndja në këtë vend, ku drejtuesit e kanë hallin e vet e jo mbrojten e qytetarëve dhe interesat e shtetit. Sot z. Haradinaj sërish po ballafaqohet me maltretime procedurale, e neve nuk na mbetet tjetër veç se të kërkojmë nga autoritetet franceze të bëjnë atë që ka qenë dashur ta bëjnë ata që për disa vite përqafohen e bisedojnë me pasuesit e Millosheviqit”.
“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t’i mundësojnë kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar, e po ashtu kërkojmë nga autoritet e BE-së dhe të shteteve europiane që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhërarresteve të paligjshme të lëshuar nga Serbia”, thuhet në reagimin e Nismës. /Telegrafi/