Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka reaguar pas vendimit të KQZ-së në lidhje me votën e diasporës.
YIHR KS thotë se vendimi i KQZ-së përmban tendenca për shkelje të së drejtës së votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.
Kjo organizatë kërkon nga Avokati i Popullit ta kontestojë vendimin në fjalë dhe të ndërmarrë veprime të duhura dhe konkrete në përputhmëri me mandatin dhe kompetencat e tij, si palë e autorizuar për adresimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Reagimi i plotë i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut
Reagim për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ndaj verifikimit të aplikacioneve për regjistrim në periudhën e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR KS është tejet e shqetësuar me vendimin Nr.42-2021 të KQZ-së, specifikisht pikën IV të këtij vendimi lidhur me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Ne konsiderojmë se si i tillë, vendimi i lartcekur përmban tendenca për shkelje të së drejtës së votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, vota e të cilëve është e barabartë si e çdo qytetari tjetër të Republikës së Kosovës.
Me kushtëzime të tilla krijohen precedentë të rrezikshëm që çojnë në dështimin e përmbushjes së obligimeve pozitive të organeve shtetërore për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat duhet të sigurojnë mekanizma që ua lehtësojnë qytetarëve ushtrimin e të drejtës për të zgjedhur përfaqësuesit/et e tyre dhe kurrsesi të minojnë këtë të drejtë.
E drejta e votës është e garantuar me legjislacionin e Kosovës dhe atë ndërkombëtar:
Kushtetutën e Kosovës – neni 45;
Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut – neni 21;
Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike – neni 25;
Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut – Protokolli 1, neni 3.
Rendi kushtetues i Kosovës është themeluar mbi parimet e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut e barazisë para ligjit dhe si i tillë duhet të mbrojë të drejtën e votës me çdo kusht.
Andaj, si përfundim ne presim dhe kërkojmë që Avokati i Popullit ta kontestojë vendimin në fjalë dhe të ndërmarrë veprime të duhura dhe konkrete në përputhmëri me mandatin dhe kompetencat e tij, si palë e autorizuar për adresimin e shkeljeve të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.