Pacientët kosovarë mund të përfitojnë nga ekspertiza e mjekëve të njohur onkologë nga Britania e Madhe dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo falë nismës së dy motrave shqiptare me titull doktor shkence në Londër.
Argita dhe Detina Zalli tashmë kanë sjellë në Prizren nismën “Afërdita ime” e cila synon të ndihmojë pacientët e sëmurë me kancer.
“Tashmë kemi edhe psikologun tonë që jep këshilla rreth sëmundjes apo aspekte tjera të menaxhimit të sëmundjes siç janë simptomat, por edhe mënyrën e jetesës pasi është një mënyrë ndryshme e jetesës nga të tjerët”, deklaroi për RTV Dukagjinin Argita Zalli.
Doktoresha shton më tutje se është i nevojshëm edhe krijimi i komunitetit të pacientëve në mënyrë që ata t’i dalin në ndihmë njëri tjetrit.
“Po ashtu iniciativa ka për qëllim të formojë komunitetin e pacientëve se ndoshta nuk ekziston deri më sot”.
Zalli thotë se nuk mungon as ekspertiza e onkologëve më të njohur në Britaninë e Madhe që ndihmojnë pacientët në trojet shqiptare.
Ajo thotë se nisma është bërë falë organizatës jofitimprurëse “We speak science”, qëllimi i së cilës është të ndihmojë njerëzit përmes shkencës./Telegrafi/