Ballkani e ka nisur mbarë edicionin pranveror në BKT Superligën e Kosovë në futboll.
Suharekasit kanë triumfuar me rezultat të thellë 4-1 përballë ish-finalistëve të Kupës së Kosovës, Dukagjinit të Klinës.
Vetëm pas 16 minutave lojë vendasit gjetën epërsinë, kur realizoi gol Meriton Korenica.
Në minutën e 29-të, suharekasit gjetën golin e qetësisë pasi Armend Thaqi shënoi për ta dyfishuar epërsinë.
Me dy gola epërsi të vendasve, përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Kur kaluan 63 minuta lojë, Ballkani gjeti edhe golin e tretë e kësaj radhe realizoi mesfushori defensivë Kushtrim Gashi.
Mysafirët shënuan në minutën e 80-të për 3-1 me anë të Altin Merlakut, por gjashtë minuta më vonë Mevlan Zeka shënoi për 4-1.
Deri në fund më gola nuk pati dhe suharekasit morën tri pikë të mëdha në luftën për titull.
Tani Ballkani zë vendin e dytë me 36 pikë sa ka edhe Gjilani në vendin e tretë, derisa Dukagjini është e teta me 18 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme Ballkani luan derbin ndaj Prishtinës në kryeqytet, derisa Dukagjini pret Drenicën. /Telegrafi/