Agjencia e Menaxhimit Emergjent-AME e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me mandat koordinues qeveritar për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, me përkrahje, organizim dhe asistencë nga Komanda e KFOR-it dhe me pjesëmarrjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, prezentë në Kosovë që kanë mandat reagimin në incidente specifike, kanë planifikuar realizimin e Ushtrimit Fushor “MASCAL 2017” me skenar “Rrëzimi i Aeroplanit Komercial”, ku si pasojë ka lëndime në masë.
Sipas kumtesës nga Ministria e Punëve të Brendshme, zhvillimi i ushtrimit do ta testojë zbatueshmërinë e dokumenteve bazë për Menaxhimin Emergjent në Republikën e Kosovës, si dhe gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare prezentë në Kosovë, për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit vendor.
Objektivat kryesore të ushtrimit janë komunikimi dhe koordinimi në incidente të karakterit kombëtar, reagimi i koordinuar midis faktorit vendor dhe ndërkombëtar, bazuar në sistemin e integruar të menaxhimit të emergjencave (SIME) dhe Planin e Reagimit Kombëtar (PRK), si dhe Rimëkëmbja pas situatave të kësaj natyre.
Në ushtrim do të marrin pjesë:
– Agjencia e Menaxhimit Emergjent-Planifikimi dhe koordinimi
– Aeroporti i Gjakovës – vendimmarrja
– Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës – AACK
– Komisioni për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve Aeronautike – KHAIA
– Reaguesit e parë si Zjarrfikësit, Shërbimet mjekësore emergjente dhe Policia e Kosovës,
– Reaguesit e dytë: Forca e Sigurisë së Kosovës dhe
– Reaguesi i tretë, KFOR-i.
Ky ushtrim planifikohet që të mbahet në javën e fundit të muajit gusht.