Prokuroria në Gjilan ka nisur hetimet ndaj drejtorit të spitalit në këtë qytet. Drejtori Besim Guda, po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Këtë e ka konfirmuar për TV ARTA, kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Jetish Maloku.
Maloku nëpërmjet telefonit, ka thënë se Guda dyshohet se në mënyrë të jashtëligjshme ka punësuar njerëz brenda spitalit, ka lëshuar me qira hapësirat e spitalit dhe për ndikim në tender për furnizim.
“Ndaj Drejtorit të Spitalit Regjional B.G. është ngritur kallëzim penal për shkak të dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me një tender për një aparat mjekësor. Gjithashtu B.G po hetohet edhe për shfrytëzimin e pronës tokësore të spitalit nga një kompani private pa kontratë. B.G dyshohet se ka edhe shkelje ligjore brenda spitalit rreth punësimeve pa kritere dhe të jashtëligjshme”, ka thënë Maloku.
Ndërkohë, televizioni ka kontaktuar Besim Gudën, i cili nuk ka pranuar të flasë para kamerës. Por, nëpërmjet telefonit Guda ka thënë se është i hapur ndaj çfarëdo hetimi që bën Prokuroria ndaj tij.