Pas Elbasanit, prej disa vitesh Tirana është kthyer në kryeqendrën e festimeve për Ditën e Verës, një festë pagane, por që festohet masivisht nga shqiptarët.
Këtë 14 mars, qindra qytetarë mbushën sheshet dhe rrugët e Tiranës për të festuar Ditën e Verës, pavarësisht kushteve atmosferike jo shumë të përshtatshme.
Aktivitetet kulturore dhe sociale për të gjitha moshat nisën që prej orës 9:00 të mëngjesit dhe vazhduan deri në orët e vona të pasdites.
Ekspozita e makinave retro, yoga, animatorët për fëmijë, panairi i librit, marketet për fëmijë, punimet e artizanëve, sporti dhe një sërë aktivitetesh të tjera ishin të shtrira nga Sheshi “Skëndërbej” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Familjarë, fëmijë dhe të moshuar u mblodhën për të shijuar këtë ditë dhe për t’u argëtuar, ndërsa nuk munguan as urimet.
Ndryshe nga vitet e tjera, në kryeqytet skena e koncertit ishte e lëvizshme, ku këngëtarët Sinan Hoxha, Juliana Pasha dhe Ardit Çuni dhe DJ Aldo performuan në orare të ndryshme.
Në sheshi “Skënderbej” për herë të parë u vendosë 4 balona me ajër duke u kthyer në atraksion për të gjithë qytetarët të cilët shijuan atmosferën.
Ndërkohë, gjatë gjithë ditës, në Tiranë nuk u lejua qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët “Papa Gjon Pali II” dhe “Ibrahim Rugova”. /Euronews/Telegrafi/