Site icon Telegrafi

Nisin bisedimet për shitjen e Milanit

Moguli i mediave italiane dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi i ka dhënë dritën jeshile kompanisë së tij “Fininvest” që të hyjë në biseda ekskluzive me një grup të investitorëve kinezë për të shitur klubin e tij të zemrës, A.C. Milan, një prej klubeve më të suksesshme në botë.

Drita jeshile nga Berlusconi vjen pas disa muajsh mendimesh nga tajkuni televiziv, i cili në të kaluarën nuk ka dashur as të bisedojë për shitjen e klubit të cilin shpesh e quan “Milani im”.

Që nga koha kur Berlusconi e bleu atë 30 vjet më parë, kur ishte në prag të bankrotimit, A.C. Milan ka fituar 28 trofe, përfshi pesë tituj të Kampionit Evropian dhe tetë të ligës italiane, transmeton Koha.net.

“Galatioto Sports Partners” me bazë në SHBA është duke i ndërmjetësuar negociatat me një konsrocium që besohet se do të përfshijë “Evergrande Group” të Kinës, baza e biznesit të së cilit është patundshmëria, dhe gjigantin kinez të e-komercit “Alibaba Group”, i drejtuar nga Jack Ma.

Alibaba ka në pronësi një njësi filmi që quhet “Alibaba Pictures Group”, kurse tani dëshiron të përfshihet edhe në sport.

Problemet e mëdha në këto vitet e fundit kanë bërë që të ketë pakënaqësi të mëdha nga fansat e Milanit, të cilët nuk e kanë parë ekipin e tyre të fitojnë ndonjë trofe në këto pesë vitet e fundit.

Vitin e kaluar Milani është përballur me 188 milionë euro borxh, dhe humbje prej 89 milionë eurove.

Kinezët e kanë vlerësuar klubin e Milanit në 700 milionë euro, përfshirë këtu edhe borxhet.

Sot kompania e Berlusconit, Finivest ka konfirmuar se është arritur një marrëveshje me investitorët kinez për fillimin e bisedimeve për shitjen e një pjese të aksioneve të Milanit, raporton Di Marzio.

Marrëveshja përfundimtare pritet të bëhet në fund të majit, ose në fillim të qershorit.

Exit mobile version