Telegrafi

Nisi raundi final i bisedimeve Prishtinë-Beograd në Baden të Austrisë

Gjatë takimit treditor, i cili është i mbyllur për opinionin, në rend të ditës do të jetë analizimi i bisedimeve të deritashme, propozimet e mundshme shtesë, prezantimi përfundimtar i të dyja palëve, përfundimet e Treshes ndërmjetësuese dhe paraqitja e bazës e raportit për bisedimet.

Para takimit, anëtarët e Ekipit të Unitetit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, kanë ripërsëritur qëndrimin se pavarësia e Kosovës është zgjidhja e vetme e pranueshme për kosovarët. “Jemi këtu që ta shprehim vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës -pavarësinë”, ka thënë presidenti Sejdiu. Edhe Thaçi ka deklaruar se “pavarësia është zgjidhja më e mirë edhe për SHBA-në dhe BE-në”.

Ndërkohë, negociatorët serbë kanë thënë se, vijnë në këtë takim për të gjetur “një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët” duke vlerësuar se tani “topi është në oborrin e shqiptarëve të Kosovës” dhe se Serbia nuk do të lejojë që t’i merret “asnjë milimetër e territorit të saj”.

Mësohet se pala serbe, në bisedimet e Badenit, do të paraqes zgjidhje nga praktika ndërkombëtare në bazë të të cilave do ta ilustrojë funksionimin e propozimit të saj për autonominë substanciale për Kosovën.