Organizata “Reforma” sot pasdite ndezi dritat e bredhit për nder të Vitit të Ri dhe filloi kampanjën “Një dhuratë për fëmijët” në hollin e Fakultetit Filozofik në Prishtinë.
Poshtë bredhit do të vendosen dhurata, të cilat do të shkojnë për fëmijët që janë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Dashmir Bërxulli, në një konferencë për medie tha se ndihen shumë të lumtur për këtë pasi që ka qenë një vit i vështirë për universitetet në përgjithësi.
“Sonte kemi kënaqësinë që në Fakultetin Filologjik të ndezim dritat e bredhit të festave të fundvitit, me dëshirën që të kemi një vit të festave të gëzuara. Ka qenë një vit shumë i vështirë për arsimin universitar. Fakulteti Filozofik bashkë me studentët ka bërë maksimalen që përvoja gjatë këtij viti të jetë sa më domethënëse në mes të vështirësive dhe urojmë që këto festa të jenë një ogur i mirë për vitin që vjen për tejkalimin e pandemisë, përballimin e sfidave të përbashkëta në arsimin e lartë, ne jemi në vazhdimësi me studentët në komunikim edhe në të gjitha proceset edhe sipas lëvizjes me studentët, pra siç e shikoni që jemi të gjitha bashkë këtu, do t’i ndezim dritat së bashku”, ka thënë ai.
Më tutje, organizatori i gjithë kësaj por edhe kryetari i organizatës “Reforma”, Oktaj Hasani tha se kjo nismë kjo ka buruar nga studentët.
“Është një nismë që ka buruar prej studentëve ,mirëpo e ka pasur përkrahjen e vazhdueshme nga menaxhmenti i Fakultetit Filozofik, si nga dekani dhe prodekanët. Ideja jonë ka qenë që me mbet diçka jo vetëm këtë vit por edhe në vitet tjera sepse ky bredh do të vendoset sot këtu por do të shfrytëzohet edhe në vitet tjera nga studentët tjerë. Ndërsa në kuadër të kësaj për fundvit me i’u dhurua nga një dhuratë fëmijëve që kanë nevojë, por edhe kanë nevojë me ndje praninë tonë tek këta”, thotë ai.
Ndërsa kampanja të ngjashme edhe në të ardhmen paralajmëroi Eduart Sopaj, këshilltar i studentëve të Fakultetit Filozofik.
“I falënderoj të gjithë studentët e kësaj kampanje që në mënyrë solidare edhe ne të bëjmë diçka për fëmijët që kanë nevojë dhe po besoj që së bashku me studentët do të bëjmë kampanjën tjera qëNjë dhuratë për fëmijët kanë një qëllim që të jemi sa më solidarë dhe t’iu ndihmojmë personave të cilët kanë nevojë, dhe të jemi sa më afër tyre”, shton ai.
Me këtë rast, dekani Fakultetit Filozofik, Dashmir Bërxulli, ndau edhe disa mirënjohje për studentët vullnetarë që morën pjesë në konferencën “Shoqëria pas pandemisë”.
Ky organizim u mundësua nga organizata “Reforma”, këshilli i studentëve në Fakultetin Filologjik si dhe menaxhmenti i Fakultetit.
Kampanja do të jetë e hapur që nga sot e deri më 27 dhjetor.