Telegrafi

Nisi gjykimi ndaj kroatit, suedezit dhe britanikut të kapur në Ukrainë – mund të dënohen me vdekje

Kroati Vjekoslav Prebeg, i cili u akuzua nga një gjykatë separatiste në lindje të Ukrainës si mercenar i forcave të Kievit, përballet me dënimin me vdekje, njoftuan sot mediat.

Një gjykatë në rajonin pro-rus të Donetskut në Ukrainën lindore e akuzoi atë dhe katër shtetas të tjerë të huaj se luftonin si mercenarë në anën ukrainase.

Të tre, përfshirë kroatin, përballen me dënimin me vdekje. Dy të tjerët janë britaniku, John Harding dhe suedezi, Mathias Gustafsson, raporton index.hr. Të tre u arrestuan në dhe rreth Mariupol.

Duke iu referuar gjyqtarit, TASS thekson se gjyqi mund të vazhdojë në fillim të tetorit. Dy britanikë të tjerë, Dylan Healy dhe Andrew Hill, janë gjithashtu të akuzuar, por nuk përballen me dënimin me vdekje. Të pestë u deklaruan të pafajshëm.

Kroacia e dënoi ashpër aktakuzën, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane (MVEP). Kroacia “e refuzon aktakuzën dhe nuk e konsideron të bazuar dhe të ligjshme sepse është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat ndërkombëtare për trajtimin e civilëve të kapur dhe robërve të luftës”, thuhet në komunikatën e MVEP.

Ministria dhe shërbimet kompetente janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ukrainase dhe partnerët e tjerë për të ndriçuar rastin dhe për të liruar kroatin, u njoftua.

Sot, në ditën e fillimit të gjyqit, është publikuar një video e re në të cilën ai përshkruan se si përfundoi në Ukrainë.

“Më erdhi një ofertë që mund të qëndroj në Ukrainë nëse do të kontraktoj shërbimin ushtarak, meqenëse oficerët e ushtrisë së huaj marrin leje qëndrimi derisa u zgjat kontrata dhe pas tre vjetësh mund të marrin edhe shtetësinë, vendosa për kontratën. Isha disa kilometra në veri të fabrikës së Iliçit. Kishim një pikë kontrolli atje. Na çuan në postblloku dhe na thanë se do të ishim në vijën e dytë dhe do të bënim llogore. Ne hapëm llogore”, tha ai. /Telegrafi/