Site icon Telegrafi

Nishani-Veliaj, nesër përballja e parë në Gjykatën e Tiranës

Bujar Nishani dhe Erion Veliaj do të përballen nesër në gjykatë, në seancën e parë të gjyqit mes presidentit të Republikës dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës. Presidenti Nishani ka paditur pak javë më parë kryebashkiakun Veliaj, për deklaratat e këtij të fundit në emisionin “Opinion”, ku e akuzonte Kreun e Shtetit për vjedhje. Padia e Nishanit është regjistruar nën akuzën “shkaktim dëmi” dhe vlera simbolike e padisë është 100 lekë. Arjana Liço është gjyqtarja që do të drejtojë seancën nesër në orën 11:00.

Në padi theksohet detyrimi i kryebashkiakut për dëmshpërblimin dhe përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra në emision. Kreu i Shtetit kërkon “detyrimin e palës së paditur të më dëmshpërblejë për dëmin moral të pësuar prej cenimit të nderit dhe personalitetit, në vlerën 100 lekë”. Gjithashtu, Nishani kërkon “detyrimin e palës së paditur të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra, duke publikuar me shpenzimet e veta në emisionin ‘Opinion’ të TV Klan dhe mediat kombëtare vendimin e Gjykatës”.

Në një dalje publike më 17 maj, presidenti i kërkoi Veliajt përgënjeshtrimin e akuzave, sipas të cilit Nishani ka vjedhur pronën e kishës katolike në Elbasan. Duke iu referuar këtyre akuzave, Nishani kërkoi që prokuroria të nisë hetimet për të vërtetuar dhe identifikuar “hajdutin”. Kreu i Shtetit premtoi se do të ndjekë edhe personalisht seancat e gjyqit. Nga ana e tij, Veliaj është shprehur se presidenti i Republikës po vepron në mbështetje të një pale politike. /Telegrafi/

Exit mobile version