Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka pritur sot një delegacion të partisë “Uniteti”, të kryesuar nga Kryetari i kësaj partie Gëzim Ostreni, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në takim është biseduar për situatën aktuale politike në Maqedoni dhe kontributin e shqiptarëve në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Republikës së Maqedonisë.
Presidenti Nishani ka shprehur qëndrimet e tij lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si një fondament i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimit të klimës së besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Maqedoni.
Kreu i Shtetit ka shprehur qëndrimin e tij për një frymë sa më të mirë bashkëpunimi jo vetëm mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Kryetari i “Uniteti”, Gëzim Ostreni e ka informuar presidentin Nishani mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe vështrimin e partisë të cilën e udhëheq ai lidhur me daljen nga kjo situatë krize dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të Maqedonisë./Telegrafi/