Telegrafi

Nishani kthen ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare: Shkel Kushtetutën

Presidenti Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti thotë se ligji nuk plotëson kushtet e vendosura nga Kushtetuta në lidhje me marrëveshjet që kanë faturë financiare.

Sipas Presidentit nene të këtij ligji bien ndesh me nenin 121 të Kushtetutës, që thotë se “Ratifikimi dhe denoncimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë bëhet me ligj në rastet kur ato kanë të bëjnë me: ë) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë; d) miratimin, ndryshimin, plotësimin ose shfuqizimin e ligjeve”.

“Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin tuaj (deputetëve) në rishqyrtimin e ligjit nr.43/2016 ‘Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë’, pasi neni 19/2 i tij bie ndesh me Kushtetutën dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese”, thotë në dekretin e tij Presidenti i Republikës. /Top Channel/Telegrafi/