Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë sot në takimin e Liderëve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), krahas shumë krerësh shtetesh dhe qeverish. Ky Samit përkon dhe me 20-vjetorin e themelimit të kësaj organizate.
Nishani, që në fillim të fjalës së tij, theksoi se SEECP në këto 20 vjet ka nxitur bashkëpunimin mes vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, por edhe ka frymëzuar lindjen e shumë nismave të tjera rajonale, të cilat kanë rritur ndjeshëm mundësitë për shkëmbime. Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu, se takimet e shpeshta mes liderëve të rajonit kanë krijuar mundësinë për të diskutuar çështje shumë të rëndësishme, që nga sfidat që lidhen me proceset integruese, e deri tek çështje më akute, përfshirë luftën kundër terrorizmit apo përballjen e flukseve migratore në rrugëkalimin Ballkanik.
Kreu i Shtetit bëri thirrje për një debat realist dhe reflektimin për fazën e mëtejshme ku shtetet anëtare dëshirojnë ta çojnë organizatën, si dhe i garantoi liderët e tjerë se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë një partner serioz dhe i besueshëm në këtë proces.
Në mbyllje të Samitit, liderët pjesëmarrës miratuan një deklaratë të përbashkët të Samitit, ku theksuan rolin e rëndësishëm të SEECP-së në procesin e integrimit evropian të rajonit, si dhe angazhimin për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe adresuar sfidat dhe kërcënimet e reja për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore, duke theksuar dhe rolin e NATO-s dhe të OSBE-së në këtë aspekt.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Trojkës së SEECP-së dhe Kryesisë së radhës së kësaj organizata për periudhën 2014-2015, mori pjesë në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev, që mbylli Kryesinë aktuale dhe Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, që e mori kryesinë e organizatës për periudhën 2016-2017.
Në këtë konferencë shtypi, kreu i shtetit vlerësoi arritjet që kanë bërë të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore në këtë 20 vjetor të organizatës, duke u shprehur se këto arritje “na bëjnë krenarë, dhe na mundësojnë të vlerësojmë se si vendet tona janë zhvilluar, dhe si i gjithë rajoni aktualisht gëzon formën e vetë më të mirë që ka pasur në historinë e tij”.
Gjithashtu, Presidenti Nishani, theksoi se ky Samit ripohoi se zgjedhja e përbashkët strategjike mbetet integrimi evropian i të gjithë rajonit, si politikë strategjike që garanton paqen, stabilitetin dhe begatinë e të gjitha vendeve të rajonit.
Në fund të konferencës për shtyp, Kreu i Shtetit përgëzoi Bullgarinë për Kryesinë e suksesshme të SEECP-së, si dhe uroi Kroacinë për marrjen e kësaj kryesie për vitin 2016-2017, duke e siguruar për mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Shqipërisë. /Telegrafi/