Telegrafi

Nishani flet për mbresat e takimeve si president, që i nisi dhe mbaroi me Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, organizoi sot në Pallatin e Brigadave takimin e lamtumirës me diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Në fjalën e tij, Presidenti, vendosi theksin në takimet më të rëndësishme të diplomacisë, dhe ngjarje të rëndësishme në vend që kanë lënë mbresa në punën e presidentit.

“Në të gjitha takimet e vizitat e mia me homologë dhe atoritete të huaja, në qendër të vëmendjes ka qenë promovimi i marrëdhënieve të mira, miqësore dhe fqinjësore, si dhe demonstrimi dhe angazhimi i Shqipërisë si një vend partner i besueshëm në përballimin e sfidave dhe kërcënimet me të cilat po përballet bota dhe shoqëria njerëzore sot”, theksoi Nishani.

Nishani e konsideroi vizitën në Kosovë si shumë të rëndësishme.

“Vizita ime e parë dhe e fundit e mandatit tim ka qenë në Kosovë. Kam pasur kënaqësinë të mirëpres dhe dy presidentë të Kosovës në Tiranë. Kosovën, kam pasur rastin ta vizitoj dhe shumë herë të tjera, por në mënyrë të veçantë, kujtoj 5 vjetorin e Pavarësisë dhe ceremoninë e inaugurimit të presidentit Thaçi”.

Një tjetër eveniment që ka lënë mbresa te Presidenti Nishani është vizita e Papa Françeskut në Tiranë.

“E paharrueshme për mua si president, si nga përmasat dhe nga mesazhet e dhëna, ishte mundësia për të mirëpritur në Tiranë, Papa Franceskun, në shtatorin e vitit 2014. Por edhe vizita ime në Vatikan në kuadër të shenjtërimit të Nënë Terezës, sot Shën Tereza e Kalkutës, do mbetët e pa shlyer në kujtesën time”, tha Nishani.

Po ashtu, Nishani tha se në kuadër të agjendës rajonale me ftesë të homologëve të mi, gjatë kësaj periudhe, ka zhvilluar vizita zyrtare në Slloveni, Mal të Zi, Kroaci në Bosnje-Hercegovinë, në Bullgari.