Site icon Telegrafi

Nishani: Asociacioni dhe demarkacioni të trajtohen nga ekspertët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri.

Siç njofton presidenca shqiptare, presidenti Nishani përshëndeti rolin personal të zotit Ahmeti në drejtimin e Komunës së Prishtinës si dhe vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tij serioz në përmirësimin e përditshëm të jetës së qytetarëve të kryeqytetit të Kosovës.

“Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi gjithashtu progresin e bërë nga Kosova që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duke evidentuar në mënyrë të veçantë intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë.

Duke komentuar zhvillimet politike në Kosovë, presidenti i Shqipërisë theksoi se është shumë e rëndësishme që progresi i bërë deri tani nuk duhet të pengohet nga lufta politike.

“Trajtimi i çështjeve shumë madhore për të ardhmen e Kosovës, si ato të asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe të demarkacionit kufitar me vendet fqinje, du het të trajtohen nga ekspertët e të zgjidhen me maturi politike e qasje të përshtatshme juridike”, citohet të ketë thënë presidenti Nishani.

Ndërsa, Ahmeti nga ana e tij e informoi Presidentin Nishani mbi praktikat anti-korrupsion të instaluara në Komunën e Prishtinës, si dhe mbi këndvështrimin e tij dhe të forcës politike që përfaqëson mbi zhvillimet dhe klimën politike në Kosovë.

Në fund të takimit, Presidenti Nishani e garantoi zotin Ahmeti për angazhimin e tij personal, si dhe të të gjitha strukturave të shtetit shqiptar në mbështetje të Republikës së Kosovës në të gjitha hapat e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.

Exit mobile version