Telegrafi

Nishanet tërheqin vëmendjen…

Pjesa më e madhe e tyre mbeten beninje për tërë jetën. Shumë rrallë zhvillohet tek to një melanomë. Melanoma malinje është tumor malinj që e merr prejardhjen nga melanocitet (qelizat që i japin pigmentin lëkurës). Lokalizohet kryesisht në lëkurë, por mund të vendoset edhe në mukozat (hapësirën e gojës, konjunktivë, zorrë, vulvë, vaginë) dhe në bulbin e syrit.

Ç’janë nishanet? Të gjithë i njohim, por a i dimë të gjitha të fshehtat që i bëjnë nganjëherë të rrezikshëm për jetën? Nishanet s’janë gjë tjetër veçse njolla të ngjyrosura mbi apo nën lëkurë që janë të pranishme që në lindje apo edhe që zhvillohen shpejt pas lindjes. Disa nishane zhduken me kalimin e kohës, të tjerët bëhen më të shprehur. Mund të shkaktohen nga pigmentimi i lartë në lëkurë apo nga enët e gjakut që nuk zhvillohen normalisht. Pjesa më e madhe e nishaneve janë të padhembshme dhe të padëmshme. Në raste të rralla, mund të sjellin ndërlikime apo të shoqërohen me sëmundje. Vlerësimi i ndryshimeve, të vërejtura në nishanet, duhet të bëhet nga mjeku specialist. /Telegrafi/