Telegrafi

Nis vlerësimi i pronave kah do të kalojë autostrada

Kjo ka ngritur shqetësim te qytetarët e kësaj ane, të cilëve u është marrë prona e nuk u është kompensuar ende. Fajin për këtë zyrtarë të nivelit qendror dhe atij lokal ia hedhin njëri-tjetrit.

Vesel Kryeziu është pronar i tri parcelave të cilat i janë marrë për ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdar, e të cilat nuk i janë kompensuar asnjëherë. Ai thotë se “në këtë pjesë te arrat e Lugjeve, në Komunën e Suharekës punët rreth ndërtimit të autostradës janë duke u zhvilluar pa asnjë problem. Ndërkaq shqetësimi për pronarët e pronave mbetet mos kompensimi i pronave nga ministria përkatëse”, raporton Koha.

Pavarësisht kësaj, Kryeziu thotë se nuk i ka ndërprerë punët e rrugës, duke shpresuar se prona e tij një ditë do t’i kompensohet. E zyrtarët komunalë e pranojnë se ka mangësi në procesin e shpronësimit të pronave në këtë pjesë, por sipas tyre, përgjegjësinë e mban qeveria.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thonë se aty ku është organ shpronësues qeveria jep përgjegjësi, në të kundërtën përgjegjësinë e mbajnë Kuvendet Komunale.

Ndërkaq zyrtarët komunalë të Suharekës kanë thënë se Ministria i ka borxh edhe Komunës. Borxhi arrin në më shumë se 1 milion euro për kompensimin e marrë të pronës komunale. /Telegrafi/