Kështu tradita po vazhdon, për nëntë vite me radhë në Cyrih të Zvicrës po organizohet Turneu më i madh i futbollit të vogël në mërgatë, në organizim të Kompanisë “Malësia -Reissen”, raporton KosovaPress.
Çdo gjë tashmë është gati për të filluar edicioni i 9-të i turneut “Malësia Cup-2014”, i cili nis me ndeshjet e para që do të zhvillohen sot nga ora 18.00 në palestrën e sporteve “Dietikon” në Cyrih.
Sikur çdo vit edhe këtë vit, pjesëmarrëse janë mbi 60 ekipe të cilat për tri ditë me radhë do të luftojnë që të dielën në mbrëmje të stolisen me trofeun e këtij turneu. Janë 60 skuadra të ndara në 12 grupe me nga pesë ekipe. Si çdo herë interesimi i ekipeve për të marrë pjesë është tepër i madh, madje jashtë garës mbesin shumë ekipe për shkak të kohës treditore.
Pjesëmarrja masive e ekipeve nga mbarë Evropa për nga përmasa tejkalon epitetin e një garimi sportiv. Nga viti në vit ky turne po bëhet jo vetëm interesant dhe joshës, por cilësia e ekipeve është gjithnjë e më e madhe. Si gjithmonë ndeshjet e këtij turneu zgjojnë kërshërinë jo vetëm të adhuruesve por edhe të menaxherëve të futbollit.
Rrustem Aliaj pronari i Kompanisë “Malësia Reisen” është shprehur për “Kosovapress” se tashmë çdo gjë është e gatshme për fillimin e këtij turneu, që ka për qëllim përveç karakterit garues, ky turne të tubojë shqiptarët të të gjitha moshave dhe gjinive.
Ndërkaq, kryetari i KO i turneut Avni Aliaj, ka theksuar ky turne po shton masivitetin dhe cilësinë e ekipeve me çka garat po bëhen gjithnjë të rivalizuese dhe të forta. Bajram Arifaj nga KO është shprehur i kënaqur që edhe si vjet ka ekipe jo vetëm nga Zvicra, por nga Gjermania, e Anglia.
Favorite për ta fituar këtë edicion mbeten, Malësia Reisen nga Aarau i Zvicrës, Krines, Tëo Touch. Ky turne zhvillohet nga 7 deri më 9 shkurt kur mbahen edhe finalet dhe ndahem shpërblimet dhe dihet fituesi.
Ku mbeti ekipi “Shiki-Miki”?
Një nga ekipet më atraktive të këtij turneu “Shiki-Miki” duket se do të mungojë në këtë edicion sipas organizatorit është lajmëruar me vonesë. Ky ekip nuk është shquar aq shumë për cilësi sa për një gjallëri dhe një sharm të vërtet që i jepte turneut, ndaj me të drejt pyesim pse nuk është këtu këtë vit, pasi që prej fillimit të edicionit të parë “Shiki-Miki” ishte pjesë e pandashme. Të shpresojmë se nuk do të mungojë në edicion jubilar të vitit të ardhshëm. (Nga Fazli Berisha Cyrih). /Telegrafi/
Ekipi “One Touch” –fitues nga viti i kaluar
Fituesit e deritashëm:
2006 Malësia Reisen
2007 Malësia Reisen
2008 Unikatilat
2009 Qerreti
2010 Kriens
2011 La Massia
2012 Unikatilat ABN
2013 One Touch
2014 ?