Mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta sot po iu nënshtrohen pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, i cili ka për qëllim të bëjë orientimin e nxënësve për regjistrimin në shkollat e mesme të larta.
Procesi ka filluar në orën 10:00, ku nxënësit do t’i kenë dy orë në dispozicion për tu përgjigjur në pyetjet e parashtruara.
KosovaPress qëndroi në gjimnazin “Xhedet Doda” dhe “Elena Gjika” ku nxënësit e klasave të nënta të kryeqytetit iu nënshtruan procedurave para se të hynin në test.
Testi i sotëm ka 100 pyetje nga katër lëndë, ndërsa 100 pyetje të tjera nga pesë lëndë të tjera nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë do t’i nënshtrohen më 14 qershor.
Testimi është duke u mbajtur në 176 qendra të testimit në të gjithë vendin, ku të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues. /Telegrafi/