Site icon Telegrafi

Nis me tensione seanca e Kuvendit të Shqipërisë, Boçi: Kryeministri duhej të ishte këtu, me pranga në duar!

Ka nisur me tensione seanca plenare e ditës së sotme, ku fjalën i pari e ka marrë deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi.

Ai u shpreh se në procesverbalin e herës së kaluar nuk ka gjetur asnjë arsye se përse u përjashtuan për 10 ditë nga Parlamenti deputetët e PD-së.

Më pas ka qenë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla e cila i ka fikur mikrofonin Boçit, duke thënë se fjala e tij nuk ishte për procesverbal.

Pas këtij momenti deputetët e PD kanë rrethuar foltoren, ndërsa më pas Boçi ka vijuar fjalën, teksa ka kërkuar që sot në këtë seancë, duhej të ishte prezent kreu i qeverisë, Edi Rama.

“Tek po lexoja procesverbalin e seancës së kaluar nuk gjeta asnjë arsye për përjashtimin e deputetëve të PD, ata kanë kërkuar të drejtën e tyre për mocion me debat për çështjen e financimit me para në dorë nga kryeministri të McGonigal, për eliminimin e opozitës”, tha deputeti.

“Kur opozita kërkon të drejtën e saj ju bëni vazhdimin e skenarit, organizmi dhe zbatimi i eliminimit të opozitës. Është e njëjta formë, paksa në miniaturë. Ky parlament është i korruptuar nga Rama, jo me para… me kërcënime dhe dhunë që ushtrohet në këtë parlament për t’i hequr fjalën opozitës. Kryeministër të korruptuar bota ka njohur, por kryeministër që korrupton bota nuk ka njohur. Korrupton në dëm të interesave kombëtare. Sot kryeministri duhej të ishte këtu! Duhet të dalë me pranga në duar”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Exit mobile version