Telegrafi

Nis me tensione protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës, hidhen molotov e tymuese

Në ambientet e jashtme të Bashkisë së Tiranës po mbahet këtë të martë dhe protesta e radhës mbështetur nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë.

Protesta e 12-të nisi me përplasjeve mes mbështetësve të PD dhe PL me forcat e policisë të cilat ishin vendosur aty për ruajtjen e godinës.

Nën thirrjet “Hajduti”, protestuesit hodhën tymuese dhe molotov në drejtim të godinës dhe tentuan të thyejnë gardhin metalik të vendosur përballë bashkisë Tiranë.

Të pranishëm në protestë ishin përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak dhe përfaqësues nga Aleanca për Teatrin.

Protestuesit dëgjuan fjalimet e përfaqësuesve politikë, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Më pas ata i vunë flakën gomave të stacionuara më herët përpara bashkisë Tiranë.

Protesta, e iniciuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe e mbështetur nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë, vjen pas arrestimeve të disa zyrtave të bashkisë, nga SPAK, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”. /Telegrafi/