Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të hapin sot takimet e Këshillit të Evropës ku do të diskutohen çështjet më me rëndësi për unionin. Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga temat kryesore të takimit, me fokus raportin e Komisionit Evropian ku rekomandohet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj tha dje se një vendim pozitiv i Këshillit është i domosdoshëm për dy vendet ballkanike.
“Një vendim pozitiv i Këshillit për hapjen e bisedimeve të pranimit për të dyja vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është i domosdoshëm! Ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria duhet përjashtohet. Nevojitet vlerësimi i drejtë dhe objektiv. Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet. Koha për BE-në që të dhe mbajë procesin e zgjerimit të besueshëm”, ka deklaruar Cakaj.
Por pavarësisht përpjekjeve të Tiranës për një vendim pozitiv në qershor, shanset që kjo të ndodhë sot, dhe të konfirmohet në takimin e 20-21 qershorit të liderëve të 27 shteteve anëtare, janë shumë të pakta.
Holanda është shteti i parë që e ka bërë të njohur vendimin për të bllokuar të paktën për këtë muaj vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Franca dhe Danimarka kanë dhënë sinjale se e mbështesin Hagën në këtë qëndrim. Në pikëpyetje është vetëm çështja e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë situatë, duket se e gjithë energjia diplomatike e Shqipëria është fokusuar në përpjekjet për të mos u ndarë nga Shkupi sa i përket vendimit të negociatave, pasi në këtë mënyrë vendi ynë do të mbetej mbrapa, në grup me Turqinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit.
Edhe në agjendën e samitit të liderëve të BE-së, që nis pas dy ditësh, tema e zgjerimit është përfshirë te “çështjet e tjera”, duke mos qenë një prioritet. /TCH/