Site icon Telegrafi

Nis seanca ndaj të dyshuarit për “avullimin” e mbi 2 milionë eurove të Thesarit të Shtetit

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për avullimin e dy milion eurove nga Ministria e Financave, është duke u mbajtur me dyer të mbyllura për monitoruesit dhe publikun në Gjykatën  e Prishtinës.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Agim Kuçi, u ka ndaluar gazetarëve dhe monitoruesve që të marrin pamje dhe fotografi në seancë.

I dyshuari L.G., zyrtar i Ministrisë së Financave, po dyshohet se transferoi mbi 2 milionë euro përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë LDA Group Shpk.

Kjo kompani gjendet me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Të dyshuarit L.G. zyrtarisht i është konfirmuar kërkimi i bllokimit të llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.

Me urdhër të prokurorit L.G. gjendet në mbajtje, kurse në seancën që po mbahet në gjykatën e Prishtinës i dyshuarit po përballet me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjykatësi Agim Kuçi, ka thënë për Kallxo se për shkak të fazës së hershme – hetimeve të procedurës dhe ndjeshmëri së rastit nuk do të lejohet monitorimi i seancës.

Policia kishte njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje më 20 tetor, pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

Në bazë të regjistrit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, rezulton se kompania LDA Group shpk, ishte regjistruar si biznes në gusht të 2019-tës.

Pronarë të këtij biznesi figurojnë K. Sh. dhe V. Sh. veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jo banesore, ndërkaq veprimtari dytësore demolimin e objekteve.

Kurse dy të dyshuarit tjerë K.Sh. dhe V.Sh. gjenden në arrati.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Për këtë rast, Bajrami tha se janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës.

 

Exit mobile version